10 vite padrejtësi nga MBPZhR: Bletari Ujkan Hajdari refuzohet me kriter të sajuar ‘nukleus’, gjykata i jep të drejtë – Ministria ende nuk zbaton vendimin!

Bletari Ujkan Hajdari ka dalë sot publikisht për të denoncuar një rast të rëndë padrejtësie që po zgjat prej vitit 2016 nga Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural.
Në vitin 2016, Hajdari aplikoi për subvencionim të bletëve bazuar plotësisht në Udhëzimin Administrativ në fuqi. Ai plotësonte të gjitha kriteret ligjore. Megjithatë, komisioni i verifikimit në terren e refuzoi aplikimin duke përdorur një kriter që nuk ekziston në asnjë udhëzim: të ashtuquajturën “ndarje nukleus”.
Pas refuzimit, ai kërkoi sqarime zyrtare, por në vend të përgjigjes ligjore, në një takim me zyrtarin Gani Koliqi i është thënë: “Nëse vazhdon me fol me emocione, ti s’mun e shtyn gjatë,” – një deklaratë që ai e konsideron si presion të drejtpërdrejtë ndaj një qytetari që kërkon të drejtat e veta.
Çështja shkoi në gjykatë. Pas dy vitesh proces, gjykata vendosi në favor të Ujkan Hajdarit duke e kthyer rastin për rivendosje dhe duke konfirmuar se vendimi i Ministrisë ishte i padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.
Por edhe pas vendimit gjyqësor, Ministria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zbatim. Kërkesat për kompensim dhe zbatim janë injoruar. Si përgjigje, institucioni ka dhënë arsyetimin absurd se “nuk e kanë gjetur adresën”.
Më e rënda: Në raportet zyrtare të Ministrisë thuhet se asnjë bletar nuk është refuzuar dhe të gjithë janë subvencionuar. Ndërkohë, Ujkan Hajdari ka vendim refuzimi me shkrim, është futur në listë të zezë për tre vite (sikur të kishte bërë deklarim të rrejshëm) dhe ende po pret drejtësi.
“Ky nuk është vetëm rasti im. Është manipulim i fakteve, shkelje e ligjit dhe dëmtim i dinjitetit tim si punëtor dhe qytetar,” thotë Ujkan Hajdari.
Ai kërkon publikisht:
• Zbatim të menjëhershëm të vendimit gjyqësor
• Kompensim për dëmet profesionale e personale të shkaktuara ndër vite
• Përgjegjësi konkrete për zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën
Ky rast ngre pyetje serioze për transparencën, zbatimin e ligjit dhe trajtimin e qytetarëve nga institucionet shtetërore.
“Nuk do të ndalem. Do ta ndjek këtë çështje deri në fund, derisa drejtësia të vihet në vend.”



