Maqedonci në Gjermani diskuton për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci zhvilloi një takim të veçantë me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Nils Schmid.
Gjatë takimit, Maqedonci bëri të ditur se u diskutua mbi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kuadër të KFOR-it.
Po ashtu, sipas ministrit u trajtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe zgjerimin e programeve të përbashkëta të trajnimit.
“Shpreha mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme dhe rolin konstruktiv të Gjermanisë, duke ritheksuar përkushtimin tonë për forcimin e partneritetit strategjik, zhvillimin sipas standardeve të NATO-s dhe kontributin e përbashkët në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal”, tha ai.



