Shpenzimet për shëndet në rritje: Familjet shqiptare paguajnë nga xhepi mbi 720 milionë euro në vit

Shpenzimet e shqiptarëve për kujdesin shëndetësor po rriten me ritme të shpejta vit pas viti, të nxitura nga plakja e popullsisë, përhapja e sëmundjeve kronike dhe efektet afatgjata të pandemisë Covid-19.
Të dhënat më të fundit të INSTAT, të bazuara në rishikimin e llogarive kombëtare, tregojnë se në vitin 2023 familjet shqiptare shpenzuan mbi 84 miliardë lekë, ose rreth 840 milionë euro për shëndetin. Kjo është një rritje prej 8% krahasuar me vitin 2022 dhe 41% më shumë se në vitin 2019, para pandemisë.
Sipas statistikave zyrtare, barra e sëmundjeve kronike është rritur me rreth 6% çdo vit pas pandemisë, duke krijuar nevojë për më shumë ekzaminime, trajtime dhe kujdes mjekësor të vazhdueshëm. Ndër shpenzimet kryesore të familjeve renditet blerja e medikamenteve.
Vetëm gjatë vitit 2024, Shqipëria importoi produkte farmaceutike në vlerën e mbi 28,1 miliardë lekësh (rreth 280 milionë euro). Ndërkohë, fondi i rimbursimit të medikamenteve nga shteti pati një tavan prej 12 miliardë lekësh, ose rreth 120 milionë euro. Kjo do të thotë se rreth 160 milionë euro për barna janë paguar nga vetë qytetarët.
Në këtë kuadër, shihet qartë se barra kryesore financiare për kujdesin shëndetësor bie mbi familjet shqiptare, të cilat kanë mbuluar mbi 720 milionë euro nga totali i 840 milionë eurove të shpenzuara në 2023.
Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese duke pasur parasysh që Shqipëria mbetet ndër vendet me të ardhura më të ulëta në Europë dhe me një nivel të lartë varfërie. Kjo i kufizon qytetarëve mundësinë për të pasur akses në terapi moderne dhe inovative.
Sidoqoftë, institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë vlerësuar se Shqipëria ka hapësirë fiskale për të rritur shpenzimet për sektorin e shëndetësisë dhe kanë rekomanduar më shumë investime në kapitalin njerëzor, përmes arsimit dhe kujdesit shëndetësor.
Ndërkohë, sipas anketës më të fundit të “Security Meter” të zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, shqiptarët janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të kujdesit shëndetësor. 24% e të anketuarve deklaruan se nuk mund të përballojnë shërbimet mjekësore rutinë apo medikamentet e nevojshme.
Ky nivel shqetësimi është më i lartë se në vendet fqinje: Kosova (9%), Bosnja (16%), Maqedonia e Veriut (16%), Mali i Zi (20%) dhe Serbia (20%).
Rritja e shpenzimeve dhe vështirësitë ekonomike në përballimin e tyre sinjalizojnë një nevojë urgjente për reforma të thella në sistemin shëndetësor dhe më shumë mbështetje nga shteti për familjet shqiptare.