Turist kosovar shpëtohet pas pickimit nga gjarpri helmues në Alpet shqiptare

Një turist nga Kosova është shpëtuar të premten pasdite falë ndërhyrjes së shpejtë të Urgjencës Mjekësore Kombëtare dhe ndihmës së forcave ajrore shqiptare.
Sipas njoftimit të Urgjencës Mjekësore Shqiptare, rasti u raportua rreth orës 14:00 në shtegun Curraj i Poshtëm – Curraj i Epërm, në një zonë me terren të vështirë malor. Turisti ishte kafshuar nga një gjarpër helmues, dhe ekipi mjekësor i urgjencës i bëri menjëherë ndërhyrjen e parë në vendngjarje.
Në operacion u përfshinë Kërkim-Shpëtimi Malor i Shqipërisë, Spitali Bashkiak Bajram Curri, si dhe Forcat Ajrore të Shqipërisë, të cilat realizuan evakuimin e pacientit me helikopter ushtarak dhe vinç ajror drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Sipas njoftimit zyrtar, turisti kosovar ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.



