Kosova

Sot mbahet seanca ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Zyba e Pacolli për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet sot seanca ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe deputetëve të LVV-së, Salih Zyba e Fitore Pacolli-Dalipi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018.

Gjykata ka lëshuar urdhër për sjellje me detyrim ndaj tyre, pasi të pandehurit munguan pa arsye në seancën e 16 shtatorit 2025. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për Gazetën Express se urdhri është ende në fuqi dhe se Policia e Kosovës është ngarkuar me ekzekutimin e tij për të siguruar prezencën e të pandehurve në sallë.

Sveçla, Pacolli-Dalipi, Zyba dhe ish-deputetja Drita Millaku akuzohen se më 21 mars 2018 ndezën disa bombola gazi lotsjellës dhe i hodhën brenda sallës plenare të Kuvendit të Kosovës, duke ndërprerë seancën dhe detyruar deputetët të largohen.

Ata po gjykohen për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button