Qeveria në detyrë miraton projektbuxhetin për vitin 2026 – Kurti premton pagën e 13-të për sektorin publik

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka njoftuar miratimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin fiskal 2026, me një vlerë prej 4 miliardë eurosh, nga të cilat një e katërta janë planifikuar për investime kapitale.
Kurti tha se, ndonëse Qeveria është në detyrë, po vepron në përputhje me Ligjin për Qeverinë, që e lejon ekzekutivin të propozojë buxhetin para Kuvendit për të garantuar funksionimin e shtetit.
“Brenda afatit ligjor sot po miratojmë projektligjin për ndarje buxhetore për vitin fiskal 2026. Sikurse çdo vit, edhe ky buxhet do të ketë shumë risi”, deklaroi Kurti, duke shtuar se dokumenti do të sigurojë qëndrueshmërinë dhe vijimësinë e shtetit.
Ai u bëri thirrje deputetëve të të gjitha partive që ta votojnë buxhetin në Kuvend, para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Në këtë mbledhje, Kurti premtoi edhe përfshirjen e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar të paktën 12 muaj gjatë vitit.
Megjithatë, njohës të fushës ekonomike kanë paralajmëruar se një qeveri në detyrë ka kompetenca të kufizuara dhe nuk mund të miratojë buxhetin vjetor, duke ngritur dilema ligjore për vendimin e sotëm.



