Gjykata Supreme refuzon kërkesëpadinë për shaminë në shkolla: Udhëzimi Administrativ mbetet në fuqi

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paraqitur nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, e cila kishte kërkuar shpalljen e paligjshme dhe shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme thekson se Ministria e Arsimit ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen dhe veshjen e nxënësve, përfshirë uniformën shkollore, bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.
Sipas Gjykatës, ndalimi i bartjes së uniformës fetare në shkolla është në përputhje me këto ligje dhe nuk mund të konsiderohet shkelje e Kushtetutës, pasi rregullon çështje që lidhen me rendin dhe neutralitetin në institucionet publike arsimore.
Paditësja kishte argumentuar se Udhëzimi Administrativ nr.06/2014 bie ndesh me nenin 55 të Kushtetutës, që parasheh se të drejtat dhe liritë themelore mund të kufizohen vetëm me ligj, jo me akt nënligjor. Ajo kishte theksuar gjithashtu se në katër vitet e fundit janë pranuar ankesa nga vajza që janë përjashtuar nga shkollat publike për shkak të shamisë.
Megjithatë, Gjykata Supreme ka rikujtuar se Gjykata Kushtetuese, me aktvendimin nr. KI 36/11 të vitit 2011, ka sqaruar se liria fetare nuk përfshin çdo veprim të motivuar nga feja, dhe se në një shoqëri demokratike, kjo liri mund të kufizohet për të ruajtur harmoninë dhe neutralitetin e shtetit.
Po ashtu, Gjykata Supreme është mbështetur në praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka pranuar se vendet kanë të drejtë të vendosin rregulla të ndryshme për simbolet fetare në shkolla, në varësi të traditave dhe rrethanave kombëtare.
Në përfundim, Gjykata ka vlerësuar se rregullat e miratuara nga Ministria e Arsimit janë në përputhje me ligjin dhe kompetencën e saj ligjore, duke konstatuar se Udhëzimi që ndalon bartjen e shamisë në shkolla mbetet në fuqi.



