Rreziku i falimentimit: Kosova mund të hyjë në vitin 2026 pa buxhet

Dështimi për formimin e një qeverie të re ka rritur ndjeshëm rrezikun që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa buxhet. Sipas ish-ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, shteti mund të përballet me mungesë të plotë fondesh për paga, pensione dhe shtesa për fëmijë që në fillim të vitit të ardhshëm.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shatri paralajmëroi se nëse nuk formohet një qeveri me mandat të plotë për të miratuar ose ndryshuar ligjin për buxhetin, vendi mund të përfundojë në gjendje bllokimi financiar.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë,” – tha Shatri, duke theksuar se qeveria në detyrë nuk ka kompetenca ligjore për të propozuar ndryshime buxhetore.
Sipas tij, buxheti aktual është i vlefshëm vetëm deri më 31 dhjetor 2025, dhe pas kësaj date, çdo shpenzim i mëtejmë kërkon miratim të një vendimi të ri qeveritar, të cilin mund ta propozojë vetëm një ekzekutiv me mandat të plotë.
“Një vendim i Qeverisë për të vazhduar buxhetin e këtij viti edhe në 2026 është i jashtëligjshëm. Vetëm një qeveri e plotfuqishme mund ta bëjë këtë,” – theksoi ai.
Shatri paralajmëroi se nëse deri më 1 janar nuk ka vendim për vazhdimin e buxhetit, nuk do të ketë pagesa për asnjë sektor shtetëror, përfshirë ushtrinë dhe Policinë e Kosovës.
“Nëse më 1 janar nuk kemi vendim të plotfuqishëm për një të dymbëdhjetën e buxhetit, nuk do të ketë paga, pensione, shtesa për fëmijët – as për lëndë djegëse për veturat qeveritare,” – shtoi ai.
Eksperti i financave vlerësoi se vonesat politike dhe mungesa e konsolidimit institucional mund të çojnë në një krizë të paprecedentë financiare për vendin.
“Të vijë situata, pas 25 vjetësh çlirim, që të falimentojë shteti, të mbyllet shteti, të mos funksionojë – kjo është tronditëse,” – përfundoi Shatri.
Afati i fundit që Qeveria ta miratojë projektbuxhetin është 30 tetori, ndërsa Kuvendi duhet ta votojë deri më 31 dhjetor. Pa një qeveri të re deri atëherë, Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet dhe pa mjete për funksionimin bazë të shtetit.



