Kosova
Kryesore

Pa lëvizje për mandatarin e ri: Osmani në Arabinë Saudite, partitë pa marrëveshje

Së paku për dy ditët e ardhshme nuk pritet të ketë veprime në funksion të caktimit të mandatarit të ri për formimin e qeverisë, pasi presidentja Vjosa Osmani ndodhet në Arabinë Saudite, ku po merr pjesë në forumin ndërkombëtar “Iniciativa për Investime në të Ardhmen”. Forumi është hapur të hënën dhe do të përmbyllet të mërkurën.

Osmani ka dhjetë ditë në dispozicion për të zhvilluar konsultimet me partitë politike, pas dështimit të Albin Kurtit për të siguruar 61 vota në Kuvend të dielën, në përpjekjen e tij për të formuar qeverinë e re.

Ndërkohë, skena politike ka nisur takime e diskutime joformale. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, por të dy liderët nuk kanë dhënë detaje nëse biseda kishte të bënte me ndonjë koalicion të mundshëm.

“Me pas dasht ju me dit, ju kishim thirr brenda në takim”, u përgjigj shkurt Abdixhiku për gazetarët, kur u pyet nëse takimi kishte të bënte me zgjedhjet e reja apo me balotazhin lokal.
Nga ana tjetër, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kurti të synojë edhe një herë formimin e qeverisë.

“Unë besoj që i vetmi ndryshim mund të jetë që në rast se ka vullnet të deputetëve të caktuar për të votuar qeverinë dhe mandatarin, në këtë rast kryeministri Albin Kurti mund të garantojë se i ka 61 vota dhe të thirret një seancë tjetër brenda afatit kushtetues,” ka thënë ajo.

Megjithatë, përfaqësues të shoqërisë civile nuk janë optimistë se procesi do të prodhojë një qeveri të re.
“Pavarësisht që ka hapësirë procedurale për formimin e një qeverie, mundësia më e mirë për zhbllokimin e situatës mbetet mbajtja e zgjedhjeve të reja, për të kërkuar legjitimitet të ri politik,” ka deklaruar Vullnet Bugaqku nga KDI.

Në rast se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, ato do të përbënin procesin e tretë elektoral brenda këtij viti, pa llogaritur balotazhin që do të mbahet pas dy javësh.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë konfirmuar se një proces i ri zgjedhor do të ishte sfidues.

“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin ligjor,” ka thënë zëdhënësi Valmir Elezi.

Të gjitha partitë parlamentare pas dështimit të së dielës janë shprehur se nuk do të propozojnë një mandatar të ri, duke e lënë të hapur rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme.
/Koha

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button