SBASHK padit Ministrin Murati për mosfunksionimin e Këshillit Ekonomik-Social

Përfaqësuesi i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Ymer Ymeri, ka njoftuar se nga nesër do të nisin iniciativën për padi ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për mosshpalljen e konkursit dhe për humbjen e tri viteve të mosfunksionimit të Këshillit Ekonomik-Social (KES).
“Do të shikojmë edhe pasojat që ka pas, ndoshta do të shikojmë edhe mundësinë e dëmshpërblimeve për ato vite pse s’ka funksionu, por do ta mbledhim një grup të ekspertëve që t’i analizojmë ato çështje”, deklaroi Ymeri.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës po shkel dy ligje – Ligjin për Këshillin Ekonomik-Social dhe Ligjin për Pagën Minimale.
“Ligji për Këshillin Ekonomik-Social obligon Qeverinë që çdo fundvit t’i propozohet paga minimale. Qeveria duhet të vendos mbi propozimin e Këshillit. Por ajo po e shkel ligjin që e ka bërë vetë, duke ia hequr përgjegjësinë KES-it dhe duke i dhënë kompetencë Ministrit të Financave që të propozojë pagën minimale vetëm nëse nuk arrihet pajtueshmëri në Këshill”, tha ai.
Ymeri shtoi se ekzekutivi po ecën një hap prapa sektorit privat në çështjen e pagës minimale, pasi sipas tij, bizneset tashmë e kanë rritur atë për shkak të mungesës së punëtorëve dhe rritjes së kostos së jetesës.
“Edhe sikur të bëhet sot paga minimale 500 euro, siç e përmendi kryeministri, realisht nuk ka më paga më të ulëta se 450-500 euro, sepse edhe në sektorin publik nuk ekziston më pagë nën këtë nivel”, theksoi ai.
Përfaqësuesi i SBASHK-ut paralajmëroi se mosfunksionimi i Këshillit Ekonomik-Social ka sjellë pasoja të tjera serioze, përfshirë mungesën e kodeve të punës.
“Ka raste kur në Prishtinë punohet me mësim tërditor, por asistentët apo mësuesit e aktiviteteve nuk kanë kod pune dhe detyrohen të paguhen me kontrata të mësimdhënësve për shkak të mungesës së këtyre kodeve”, shtoi Ymeri.
Në fund, ai shpresoi se Qeveria e Kosovës, pas pranimit në Këshillin Ekonomik-Social të Evropës, do ta shpallë konkursin për përfaqësim të sindikatave dhe bizneseve, në mënyrë që Këshilli të funksionalizohet sa më parë.



