Gjurmë ADN-je çon në arrestimin e dy autorëve të grabitjes në Muzeun e Luvrit

Një gjurmë vendimtare ADN-je ka çuar në identifikimin dhe arrestimin e dy personave të dyshuar për grabitjen e ndodhur në Muzeun e Luvrit në Paris, ngjarje që mediat franceze e kanë cilësuar si “grabitja e shekullit”.
Sipas televizionit BFMTV, njëri nga të dyshuarit u identifikua falë analizave të ADN-së së gjetur në vendngjarje. Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, bëri të ditur se nga skena e grabitjes janë mbledhur mbi 150 mostra ADN-je, gjurmë gishtash dhe prova të tjera materiale.
Shefja e policisë mjeko-ligjore, Perrine Rogiez-Thubert, ka shpjeguar se hetuesit kanë punuar me gjurmë “të pasura”, si gjak, pështymë ose spermë, por edhe me “gjurmë të dobëta” të mbetura në objekte që autorët mund të kenë prekur. Në vendngjarje janë gjetur disa sende që mund të përmbajnë ADN, përfshirë një helmetë, një radio dore, një jelek të verdhë dhe dy rrota prerëse metalesh.
Hetimi mori përshpejtim kur një nga të dyshuarit tentoi të arratisej. Ai u identifikua përmes testimeve të ADN-së dhe u arrestua menjëherë më pas.
Të arrestuarit janë dy burra rreth të tridhjetave, banues në Aubervilliers, një periferi veriore e Parisit në departamentin Saint-Denis, të njohur për popullsinë e saj të dendur dhe shumëkulturore. Roli i tyre i saktë në grabitje ende nuk është përcaktuar, por ata konsiderohen si të dyshuarit kryesorë.
Sipas gazetës “Le Monde”, njëri prej tyre ka shtetësi franceze dhe algjeriane dhe u arrestua në aeroportin Roissy–Charles de Gaulle teksa përgatitej të udhëtonte drejt Algjerisë, ndërsa i dyshuari tjetër është shtetas francez.
Policia franceze vijon hetimet për të zbardhur në detaje rolin e secilit dhe për të gjetur objektet e vjedhura nga muzeu më i famshëm në botë.



