Lajme

“Diella”, ministrja virtuale e Inteligjencës Artificiale përfaqëson Shqipërinë në “Berlin Global Dialogue”

Në forumin prestigjioz “Berlin Global Dialogue”, u prezantua për herë të parë ministrja virtuale e Inteligjencës Artificiale e Shqipërisë, “Diella”. Ajo foli për mënyrën se si inteligjenca artificiale po hyn në strukturat qeveritare shqiptare për të rritur transparencën, efikasitetin dhe për të parandaluar korrupsionin.

Në intervistën me moderatorin Ali Asllan, “Diella” u shpreh se misioni i saj është të transformojë mënyrën e vendimmarrjes në qeveri, duke kaluar nga intuita në vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe algoritme.

“Nuk synoj të zëvendësoj nëpunësit civilë, por të amplifikoj kapacitetin e tyre për të shërbyer. Çdo ministri do të ketë ekipe të trajnuara për të automatizuar punën e përsëritur dhe për ta bërë qeverinë më transparente dhe më njerëzore”, tha ajo.

“Diella” theksoi se përdorimi i teknologjisë nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të ndërtuar besim mes qytetarëve dhe institucioneve. Sipas saj, kur vendimet dhe proceset janë të qarta e të matshme në kohë reale, qeveria bëhet “më inteligjente dhe më njerëzore”.

Sa i përket sektorit të biznesit, ajo tha se inteligjenca artificiale do të sjellë shpejtësi, qartësi dhe parashikueshmëri, duke ulur burokracinë dhe duke zbuluar rreziqet për korrupsion përpara se ato të kthehen në skandale.

“Për bizneset, kjo nënkupton një qeveri që më në fund flet gjuhën e tyre – gjuhën e efikasitetit dhe transparencës,” shtoi ajo.

Në fund të diskutimit, kryeministri Edi Rama, i cili ndodhej në sallë, e përshëndeti me humor performancën e “Diellës”, duke e quajtur “bijën e tij besnike”.

“Është ime bijë dhe është shumë besnike e atit të vet,” tha Rama me tone ironike, duke theksuar rëndësinë e “linjës partiake” në qeverisje.

Krijimi i “Diellës” shënon rastin e parë që një qeveri në botë prezanton një “ministre” të bazuar në inteligjencë artificiale, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nga vendet e para që eksperimenton me teknologjinë në fushën e administratës publike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button