Shoferi kosovar arrestohet në Zvicër pas manovrës së rrezikshme me autobus – përfshihen pesë automjete në aksident

Një incident i pazakontë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes (23 tetor) në Zvicër, kur një autobus me targa të Kosovës u përfshi në një situatë të rrezikshme në autostradën A3, pas kalimit të Tunelit Üetliberg, transmeton albinfo.ch.
Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, autobusi ndaloi në korsinë e parakalimit në kryqëzimin Cyrih-Jug për shkak të trafikut të dendur. Më pas, shoferi – një 61-vjeçar kosovar – tentoi të kthehej mbrapsht për të vazhduar drejt qytetit të Cyrihut, gjë që shkaktoi një përplasje nga mbrapa ku u përfshinë pesë automjete. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar.
Shoferi i autobusit, i cili po udhëtonte me një automjet të mbushur plotësisht me pasagjerë, vazhdoi rrugën drejt Churit, por u identifikua shpejt nga një patrullë policie, pas raportimit të një zyrtari që kishte vëzhguar manovrën e tij të rrezikshme.
Ai u arrestua përkohësisht dhe do të përballet me akuza për shkelje të rëndë të rregullave të trafikut, ndërsa i është ndaluar drejtimi i automjeteve në Zvicër. Hetimet për rrethanat e sakta të ngjarjes janë ende në zhvillim.
Aksidenti shkaktoi bllokim të madh të trafikut që u shtri përtej kryqëzimit Cyrih-Perëndim, pranë Wettswil.



