Qiratë për studentë në Gjermani arrijnë nivele rekord – Mynihu më i shtrenjti, Siegen më i përballueshmi

Çmimet e qirave për dhomat e përbashkëta në Gjermani po rriten me ritme alarmante, duke i bërë jetesën gjithnjë e më të papërballueshme për studentët. Sipas një studimi të fundit nga Instituti kërkimor Empirica, qiratë janë rritur dy herë më shumë sesa kostoja e përgjithshme e jetesës.
Në qytete si Mynihu, studentët duhet të paguajnë mesatarisht 750 euro në muaj për një dhomë në një apartament të përbashkët, ndërsa në Siegen kostoja është dukshëm më e ulët – rreth 350 euro. Kjo diferencë e madhe po ndikon drejtpërdrejt në zgjedhjen e universitetit.
“Dikur, studentët shikonin cilësinë e arsimit ose afërsinë me shtëpinë, por sot qiraja është bërë kriter vendimtar,” tha Reiner Braun nga Empirica.
Sipas studimit, qiratë për dhomat e përbashkëta janë rritur 74 për qind që nga viti 2012, ndërsa çmimet mesatare të konsumit vetëm 32 për qind.
Ekspertët paralajmërojnë se problemi buron nga mungesa e strehimit dhe përqendrimi i të diplomuarve në qytete të mëdha, që e rrit edhe më shumë presionin mbi tregun.
“Ditët kur studentët mund të gjenin strehim të lirë kanë mbaruar,” shton Braun, duke theksuar se zgjidhja e vetme afatgjatë është “ndërtimi i më shumë banesave”, veçanërisht në periferi.
Derisa situata të përmirësohet, shumë të rinj janë të detyruar të zgjedhin universitete në qytete më të vogla si Jena, Erfurt, Siegen apo Kassel, ku qiratë mbeten ende të arsyeshme.



