Lajme

Shkodër, bullizmi po kthehet në epidemi: fëmijët përjetojnë frikë, përjashtim dhe dhunë, ndërsa policia mohon raste të raportuara

Nga fyerjet në oborrin e shkollës te poshtërimet në rrjetet sociale, bullizmi po shndërrohet në një fenomen të përhapur mes fëmijëve shkodranë. Edhe pse psikologët flasin për një situatë alarmante, Policia e Shkodrës deklaron se nuk ka pasur raste të raportuara.

Në një shkollë 9-vjeçare të qytetit, një vajzë 11-vjeçare ka filluar të ketë frikë nga shkolla, jo për shkak të mësimeve, por nga fjalët e bashkëmoshatarëve që e lëndojnë çdo ditë. Burime nga terreni tregojnë se babai i vajzës, i njohur për dhunë ndaj nënës, e ndjek edhe pas ndarjes, e ofendon publikisht dhe kjo sjellje është bërë model për fëmijët e tjerë.

Në një tjetër rast, një djalë 13-vjeçar është braktisur nga shkolla pasi shokët e tallnin për shkak të gjendjes mendore të të atit. Ndërsa një vajzë 12-vjeçare nga komuniteti rom, e përjashtuar për arsye paragjykimi, ka nisur të shfaqë sjellje agresive si formë vetëmbrojtjeje.

Sipas psikologëve dhe punonjësve socialë në Shkodër, një në pesë fëmijë përjeton bullizëm në mjediset shkollore. “Bullizmi nuk është më rastësor, por fenomen që përsëritet dhe ndryshon formë,” – shprehet psikologja Suela Domnori. Ajo thekson se përveç talljeve e dhunës fizike, po rritet përjashtimi social dhe presioni në rrjetet sociale.

Bullizmi online, rreziku i padukshëm

Sipas ekspertëve, bullizmi virtual është bërë edhe më i rrezikshëm, pasi përhapet me shpejtësi dhe ka pasoja të rënda psikologjike. “Fëmijët thonë: më mirë të më dhunojnë sesa të bëhem meme,” – tregon Domnori. “Në internet, turpi nuk fshihet.”

Psikologu Altin Nika paralajmëron se “një koment apo foto mund të shkatërrojë reputacionin e një adoleshenti” dhe se “shkollat janë kthyer në hapësira të garës shoqërore, jo të dijes”. Ai shton se bullizmi po ushqehet nga konkurrenca për veshje, telefona dhe ndjekës në rrjete sociale, duke krijuar “hierarki të rreme që dëmtojnë karakterin në formim”.

Policia: “Nuk ka raste të raportuara”

Megjithë shqetësimet e psikologëve, Policia e Shkodrës i tha BIRN se “nuk janë evidentuar raste të bullizmit të raportuara” gjatë viteve të fundit. Institucioni theksoi se në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”, oficerët e policimit në komunitet zhvillojnë orë ndërgjegjësuese në shkolla për dhunën, bullizmin dhe sigurinë online.

Në qarkun e Shkodrës aktualisht janë angazhuar 32 oficerë sigurie që monitorojnë rregullisht ambientet shkollore dhe raportojnë çdo situatë të dyshimtë.

“Mungesa e psikologëve rrit rrezikun”

Psikologia Domnori thekson se shumë raste nuk trajtohen në kohë për shkak të mungesës së psikologëve të përhershëm në çdo shkollë. “Në disa raste, një psikolog mbulon disa institucione. Ndërhyrja bëhet kur dëmi është bërë,” – thotë ajo.

Sipas avokates Edlira Bylo, bullizmi shpesh fillon në familje. “Shkolla është pasqyra ku reflektohen problemet që fillojnë në shtëpi. Fëmijët që përjetojnë dhunë, varfëri apo mungesë vëmendjeje, e shfaqin atë në mënyrën si sillen me të tjerët,” – thotë ajo.

Bylo shton se bullizmi nuk zhduket me ndëshkim, por me edukim dhe ndërhyrje të hershme.

Psikologët bien dakord se prindërit duhet të luajnë rolin kryesor në parandalim. “Në ngjarjet e rënda, prindërit mësojnë gjithçka të fundit. Fëmijët duhet të pyeten çdo ditë – ata duhet të ndihen të dëgjuar,” – apelon psikologu Altin Nika.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button