Këshilli i Sigurimit mblidhet nesër për Kosovën – pritet raportimi i UNMIK-ut mbi tensionet dhe dialogun me Serbinë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet nesër për herë të dytë këtë vit për të diskutuar situatën në Kosovë. Në këtë takim, Zëvendës Përfaqësuesi Special dhe Zyrtari i Përgjegjshëm i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Milbert Dongjon Shin, do të prezantojë raportin më të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi misionin e UNMIK-ut, i cili mbulon zhvillimet nga 16 marsi deri më 15 shtator të këtij viti.
Shin pritet të theksojë zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë kësaj periudhe, duke u ndalur te zbatimi i marrëveshjeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të shkurtit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas raportit, tensionet ndërmjet dy vendeve kanë vazhduar, ndërsa përpjekjet për zbatim të marrëveshjeve nuk kanë sjellë rezultate konkrete. Më 9 qershor dhe 11 shtator, përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka lehtësuar dy takime trepalëshe në Bruksel midis kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. Megjithatë, asnjëri prej këtyre takimeve nuk ka prodhuar ndonjë rezultat të deklaruar.
Në veçanti, takimi i 11 shtatorit përfundoi pa përparim për shkak të dallimeve të thella në qëndrime. Edhe pse palët kishin rënë dakord për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në dhjetor 2024, takimi inaugurues i këtij komisioni nuk u mbajt siç ishte planifikuar.
Në këtë kontekst, Shin pritet t’i bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen me mirëbesim në procesin e dialogut dhe të përfitojnë nga mundësitë që ofron krijimi i komisionit brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Ndërkohë, disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit kanë theksuar më parë se realitetet në Kosovë kanë ndryshuar ndjeshëm që nga themelimi i UNMIK-ut në vitin 1999, duke kërkuar një rishikim strategjik të misionit. Nga ana tjetër, Rusia pritet të kundërshtojë çdo ndryshim në mandatin, stafin apo buxhetin e UNMIK-ut.
Takimi i nesërm pritet të zhvillohet në një atmosferë të ngarkuar politike, në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta dhe procesi i dialogut është në ngërç.



