Bota

Zelensky i hapur për bisedime paqeje në Budapest, por dyshon tek gatishmëria e Putinit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm të shkojë në Budapest për të diskutuar mbi paqen, megjithatë shpreh dyshime për gatishmërinë e presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës që po vazhdon prej më shumë se tre vitesh.

“Nuk jam i sigurt që Putini është gati t’i japë fund luftës,” ka thënë Zelensky në një intervistë për NBC më 19 tetor. “Mendoj se ai dëshiron ta vazhdojë agresionin.”

Presidenti ukrainas beson se Putini preferon të shtyjë “negociatat e vërteta për paqe” dhe heziton të takohet, pasi kjo do të kërkonte pajtim mbi pozicione specifike dhe koncesione të mundshme për t’i dhënë fund konfliktit. Ai ka bërë thirrje për rritje të presionit mbi Moskën, duke theksuar se Putini “frikësohet nga sanksionet” dhe se masa të reja ekonomike do të mund ta gjunjëzonin Rusinë.

Këto komente vijnë pas vizitës së Zelenskyt në Uashington më 17 tetor, ku diskutoi me presidentin amerikan, Donald Trump, për furnizime ushtarake dhe mundësi për negociata të mëtejshme. Trump ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe ka njoftuar planet për një takim me Putinin në Budapest, megjithëse data e saktë nuk është bërë e ditur.

Zelensky ka theksuar se është i hapur për bisedime dypalëshe apo trepalëshe, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Sipas raportimeve të Washington Post më 18 tetor, Putini ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga rajoni i Donjeckut si parakusht për paqe, por Trump ka mohuar më vonë se një marrëveshje e tillë ishte diskutuar.

Analistët paralajmërojnë se çdo koncesion territorial do të duhet të aprovohet përmes referendumit kombëtar në Ukrainë, një proces që është i pamundur gjatë gjendjes së luftës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button