Adnan Azizi: VLEN fitoi shumicën e komunave shqiptare, zgjedhjet u zhvilluan në atmosferë demokratike

Shefi i Shtabit Zgjedhor të koalicionit Vlen, Adnan Azizi, në një konferencë për media pas përfundimit të procesit zgjedhor, deklaroi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në një atmosferë demokratike dhe pa parregullsi.
Sipas tij, VLEN ka arritur fitore të rëndësishme në shumicën e komunave shqiptare. “Kemi fituar në Çair, Saraj, Haraçinë, Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Bogovinë, Bervenicë dhe Dibër, ndërsa presim epërsi edhe në komunat e tjera ku numërimi i votave është ende në proces,” tha Azizi.
Ai nënvizoi se në Tetovë VLEN ka fituar që në raundin e parë, ndërsa në Zhelinë, Tearcë dhe Bogovinë koalicioni ka mbi 1000 vota epërsi.
“Të nderuar qytetarë, në këto zgjedhje shqiptarët i dhanë një goditje gjithë atij manipulimi shumëvjeçar dhe presionit të BDI-së. Nga sot, shqiptarët i çliruam edhe nga pushteti lokal që kishte BDI deri më tani, duke iu bashkuar pushtetit qendror,” deklaroi Azizi.
Ai theksoi se ky rezultat konfirmon legjitimitetin e VLEN-it për të qeverisur në nivel qendror. “Ky rezultat certifikon legjitimitetin e VLEN-it për të qeverisur edhe tre vitet e ardhshme dhe për të menaxhuar komunat që i ka fituar në zonat 6, 2 dhe 1, ndërsa është në proces edhe zona 5,” përfundoi Azizi.



