Nga Tirana në Washington, jehona e protestës për ish-krerët e UÇK-së përfshin mediat botërore

Protesta madhështore e zhvilluar të premten në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit — ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë lajm në mediat më të mëdha ndërkombëtare.
Associated Press, The Telegraph, New York Post dhe The Washington Post i kanë kushtuar hapësira të gjera ngjarjes, duke e përshkruar si një demonstratë mbarëkombëtare për drejtësi dhe si një simbol të fuqishëm të unitetit shqiptar.
Sipas Associated Press, mijëra qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe komunitetet shqiptare në Evropë u mblodhën në kryeqytetin shqiptar për të protestuar kundër Gjykatës Speciale të Hagës, të cilën e konsiderojnë të njëanshme dhe të padrejtë ndaj ish-luftëtarëve që udhëhoqën luftën për pavarësinë e Kosovës në vitet 1998–1999.
“Demonstrues nga Kosova dhe vende të tjera evropiane mbushën sheshin kryesor Skënderbej në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose UÇK-së — një ish-grup guerilas i shqiptarëve të Kosovës që udhëhoqi luftën për pavarësi. Shumë prej tyre mbanin flamuj kombëtarë shqiptarë dhe të UÇK-së, ndërsa një grup ish-luftëtarësh dhe disa të rinj ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Disa këndonin këngë për UÇK-në dhe lirinë,” – shkruan agjencia amerikane.
Raporti i AP thekson gjithashtu se protesta nuk kishte karakter politik dhe u organizua nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), nën moton “Liria ka një emër – Drejtësi për çlirimtarët”, me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Edi Rama.
Në protestë mori pjesë edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, 95 vjeç, i cili u shpreh se ish-krerët e UÇK-së janë “të ndaluar pa prova, me akuza të sajuara”, duke kërkuar drejtësi për ta.
Mediat ndërkombëtare rikujtojnë se gjatë luftës së Kosovës humbën jetën rreth 11,400 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, ndërsa ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 detyroi forcat serbe të tërhiqeshin nga Kosova.
Në shkrimet e tyre përmenden edhe tensionet e vazhdueshme midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe fakti që Kosova shpalli pavarësinë më 2008, e njohur nga SHBA dhe shumica e vendeve perëndimore, por jo nga Serbia, Rusia dhe Kina.
Jehona e protestës shqiptare në zemër të Tiranës tregon, sipas mediave të huaja, se çështja e ish-udhëheqësve të UÇK-së ka bashkuar sërish shqiptarët në një zë të vetëm për drejtësi dhe dinjitet kombëtar.



