360 kg mish dhe 96 bombola gazi të padeklaruara ndalohen në kufirin e Vërmicës

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve rutinore në pikën kufitare në Vërmicë është ndaluar një automjet, në të cilin janë zbuluar mallra të padeklaruara.
Sipas njoftimit, pavarësisht deklarimit negativ nga personi përgjegjës, gjatë kontrollit të detajuar doganorët kanë gjetur mall të fshehur në automjet.
Mallrat e ndaluara përfshijnë 360 kilogramë mish qafe derri pa kocka dhe 96 bombola gazi për përdorim shtëpiak, secila me përmbajtje prej 190 gramësh.
Për këto mallra, pala nuk ka paraqitur as faturë dhe as dokumentacion përcjellës, ndaj Dogana i ka ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse. Ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK).
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrolleve kufitare, parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave ekonomike e shëndetësore të vendit.



