Dhoma e Specializuar në Hagë ia zgjat paraburgimin Hashim Thaçit për dy muaj të tjerë

Dhoma e Specializuar e Kosovës (DhSK) në Hagë ka marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në rastin ku ai akuzohet bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Vendimi është marrë më 10 tetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III. Sipas arsyetimit, edhe pse mungojnë informacione që do të tregonin se Thaçi mund të arratiset në rast lirimi, gjykata vlerëson se ekziston rreziku që ai të pengojë procedurat gjyqësore apo të ndikojë tek dëshmitarët dhe personat që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së.
Paneli ka konkluduar se asnjë nga kushtet alternative nuk do të mund t’i zbusë këto rreziqe, duke e bërë të nevojshëm vazhdimin e paraburgimit për dy muaj të tjerë.
Ndërkohë, më 15 shtator 2025, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave, ku ndër dëshmitarët e parë ishin ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe ndërkombëtarë si James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrje të qytetarëve nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgimtarëve.
Sipas njoftimit të DhSK-së, përfundimi i çështjes së mbrojtjes është planifikuar për më 14 nëntor 2025, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara ndaj viktimave pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
Prokuroria e Specializuar kishte përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025. Ndërkohë, më 16 korrik, gjykata kishte rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për rrëzimin e disa akuzave, duke arsyetuar se ato nuk bien nën kompetencën e trupit gjykues.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij është konfirmuar më 26 tetor 2020 dhe përfshin dhjetë pika me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer në disa zona të Kosovës, përfshirë Gjilanin, Budakovën dhe Semetishtën.
Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020./Betimi për Drejtësi/



