Mot me vranësira dhe rënie temperaturash gjatë javës në Kosovë

Në Kosovë, kjo javë do të karakterizohet nga mot kryesisht me vranësira, ndërsa intervalet me diell do të jenë më të shpeshta në disa rajone të vendit.
Sipas parashikimeve, të martën pritet të mbretëroj mot me vranësira, me periudha të herëpashershme me diell, veçanërisht në Dukagjin. Lokalisht nuk përjashtohet mundësia për ndonjë rigë të lehtë shiu. Temperaturat minimale do të zbresin në 5°C deri në 7°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë në 16°C deri në 18°C. Do të fryjë erë veriore e lehtë dhe mesatare, me shpejtësi prej 2 deri në 5 metra në sekondë.
Nga e mërkura dhe e enjtja priten më shumë intervale me diell, por temperaturat do të pësojnë rënie të lehtë. Maksimalet do të lëvizin nga 15°C në 17°C, ndërsa minimalet të enjten në mëngjes mund të zbresin deri në 3°C ose 4°C.
Duke filluar nga e premtja, pritet shtim i vranësirave dhe reshje shiu që do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Temperaturat do të bien ndjeshëm, duke arritur në 12°C deri në 14°C. Nga dita e enjte do të fryjë erë jugore e juglindore, e lehtë deri mesatare, me shpejtësi 3-10 metra në sekondë.



