Zgjedhjet Lokale 2025: Gara e ngushtë mes partive të mëdha, 9 nëntori vendos fituesit në shumicën e komunave

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025 kanë prodhuar një garë të ngushtë mes partive kryesore në vend, duke paralajmëruar një raund të dytë mjaft të hapur më 9 nëntor.
Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të përballen në shumicën e komunave, me balotazhe që pritet të përcaktojnë përfundimisht hartën politike lokale.
Vetëvendosje fiton tri komuna pa balotazh
VV ka arritur fitore të menjëhershme në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa në 12 komuna të tjera pritet të garojë në raundin e dytë: Gjakovë (kundër AAK), Gjilan, Fushë Kosovë, Obiliq, Pejë, Prishtinë dhe Viti (kundër LDK), Mitrovicë, Kaçanik, Prizren dhe Vushtrri (kundër PDK), si dhe Rahovec (kundër AAK).
Në tri prej tyre VV prin, ndërsa në nëntë të tjera renditet e dyta, duke ruajtur potencial të lartë për rritje në balotazh.
PDK ruan bastionet dhe sfidon në gjashtë komuna
Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar fitore pa balotazh në Skenderaj, Ferizaj dhe Hani i Elezit. Në gjashtë komuna të tjera do të përballet në balotazh: Dragash (kundër LDK), Kaçanik, Mitrovicë, Prizren dhe Vushtrri (kundër VV), si dhe Klinë (kundër AAK).
Në katër prej tyre PDK është në epërsi, ndërsa në dy të tjera e dyta.
LDK me performancë të qëndrueshme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Istog dhe Lipjan që në raundin e parë, ndërsa në nëntë komuna të tjera shkon në balotazh: Gjilan, Fushë Kosovë, Obiliq, Pejë, Prishtinë dhe Viti (kundër VV), Dragash (kundër PDK), Suharekë dhe Junik (kundër AAK).
Në gjashtë komuna LDK udhëheq, ndërsa në tri të tjera është e dyta, duke u pozicionuar si një prej partive me rezultatin më të qëndrueshëm në këtë proces.
AAK e fortë në perëndim
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar pa balotazh në Deçan dhe do të garojë në pesë komuna të tjera: Gjakovë e Rahovec (kundër VV), Klinë (kundër PDK), Suharekë dhe Junik (kundër LDK).
Të tjerët dhe pavarësit
Nisma Socialdemokrate ka ruajtur bastionin e saj në Malishevë, duke fituar pa balotazh. Ndërkohë, kandidati i pavarur Ramiz Lladrovci ka siguruar fitoren në Drenas pa garë të dytë.
Në komunat me shumicë serbe, Lista Serbe ka fituar në nëntë komuna, kryesisht në veri, ndërsa në Kllokot pritet balotazh.
Zgjedhjet e 9 nëntorit pritet të jenë vendimtare për përcaktimin e bilancit politik lokal dhe për formimin e qeverisjeve komunale në shumicën e qyteteve të Kosovës.



