Kosova
Kryesore

Kosovarët nesër sërish në zgjedhje lokale — mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

Për të dytën herë brenda këtij viti, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit. Të dielën, më 12 tetor, rreth 2 milionë e 25 mijë e 105 votues do të zgjedhin kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale në gjithë vendin.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar se përgatitjet e fundit për procesin zgjedhor janë drejt përfundimit dhe se po merren të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.

“Gjatë periudhës katërmujore përgatitore, KQZ ka realizuar të gjitha detyrimet që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale. Aktualisht po bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, të cilat po dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit. Prej aty, të dielën në mëngjes, do të shpërndahen në Qendrat e Votimit”, tha Elezi.

Në ditën e zgjedhjeve, përveç KQZ-së, do të jenë të angazhuara edhe Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave, për të siguruar zhvillim të rregullt të procesit.

Një nga risitë e këtij procesi është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim, në 38 Qendra Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si masë për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e integritetit zgjedhor.

“Vendosja e kamerave bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe transparencës së procesit të numërimit të votave,” shtoi Elezi.

KQZ ka zhvilluar gjithashtu një softuer të ri për publikimin e rezultateve preliminare, duke shmangur problemet që kishin ndodhur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Rezultatet e para pritet të publikohen po të dielën në mbrëmje.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 93 subjekte politike, përfshirë 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Në total janë 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 garojnë për kryetarë komunash dhe 5,419 për kuvendet komunale.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra Votimi me 2,625 vendvotime, përfshirë 54 vendvotime për votimin me kusht.

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të shpërndarë në 38 komuna.

Zgjedhjet e 12 tetorit pritet të përcillen me vëmendje të veçantë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, për shkak të rëndësisë së tyre në konsolidimin e pushtetit lokal në vend./kp

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button