Mot me vranësira dhe rënie të lehtë temperaturash gjatë fundjavës në vend

Fundjava pritet të karakterizohet nga mot me vranësira të shumta dhe rënie të lehtë të temperaturave në gjithë vendin.
Të shtunën, gjatë orëve të mëngjesit, parashihet të ketë vranësira të dendura të cilat lokalisht mund të sjellin ndonjë rigë të lehtë shiu. Megjithatë, gjatë ditës pritet që kohë pas kohe të ketë edhe intervale me diell. Temperaturat minimale do të zbresin në 8 deri në 10 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të luhaten mes 15 dhe 18 gradëve Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi verior dhe veriperëndimor me shpejtësi mesatare deri mesatarisht të fuqishme, prej 5 deri në 12 metra në sekondë.
Të dielën në orët e para të mëngjesit mund të shfaqet mjegull përgjatë ultësirave, ndërsa gjatë ditës parashihen periudha me diell të alternuara me vranësira. Temperaturat do të mbeten të ngrohta për këtë periudhë të vitit, me vlera mes 17 dhe 20 gradëve Celsius.
Në fillim të javës së ardhshme, moti do të mbetet kryesisht stabil, me kalime të herëpashershme vranësirash dhe intervale me diell. Të martën, në disa zona, priten rigë të izoluara shiu. Temperaturat do të pësojnë një rënie graduale — maksimalet nga 17 do të zbresin në rreth 13 gradë Celsius, ndërsa minimalet pritet të ulen deri në 3 ose 4 gradë Celsius. Erërat do të fryjnë kryesisht nga verilindja dhe veriu me intensitet të lehtë deri mesatar, prej 3 deri në 8 metra në sekondë.



