Prokuroria ngre aktakuzë për mashtrim tatimor prej 18 milionë eurosh – dy persona në bankën e të akuzuarve

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, F.P. dhe B.B., për veprën penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” sipas nenit 308 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar mirë se të pandehurit, në bashkëkryerje, kanë përdorur 23 fatura fiktive me vlerë të përgjithshme 18 milionë euro, përmes të cilave janë shmangur detyrimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Hetimet kanë treguar se F.P., pronar i biznesit “B.K., AG”, gjatë periudhës janar–mars 2020, ka përdorur fatura të rrejshme të lëshuara nga kompania “B.BB” sh.p.k., e drejtuar nga i pandehuri B.B., si kinse për ndërtimin e hotelit “Lakeside” në Vërmicë të Prizrenit. Në fakt, ndërtimi nuk ishte kryer nga kjo kompani.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, ATK-së i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 3,449,016.61 euro, ndërsa B.B. duke lëshuar faturat fiktive i është shmangur pagesës së tatimit në shumë prej 115,850.31 euro.
Ndërkohë, Prokuroria ka marrë edhe aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj disa personave të tjerë të përfshirë në rast, për mungesë provash në lidhje me veprat penale “Shmangia nga tatimi”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrimi në detyrë”.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.



