SPAK sekuestron pasuri 5 milionë euro të lidhura me “Aurelinjo Kalaverin”

Autoritetet shqiptare kanë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 5 milionë euro, të lidhura me Aurel Hoxhën, i njohur edhe si “Aurelinjo Kalaveri”, i cili është në kërkim për porositjen e një vrasjeje në vitin 2020.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), masa e sekuestros është vendosur nga Gjykata e Posaçme më 3 tetor 2025, në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe aktivitet kriminal.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen disa subjekte tregtare, apartamente dhe njësi biznesi, të gjitha të ndodhura në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, përkatësisht:
“Monopol sh.p.k”, me ortak të vetëm A.K. dhe administrator K.K.
“A. K. PF”, me emrin tregtar “Monopol Bar Lounge 24 orë”.
“Elite Event sh.p.k”, me A.K. si ortak dhe administrator të vetëm.
Gjithashtu janë sekuestruar shtatë apartamente dhe gjashtë njësi tregtare me sipërfaqe të ndryshme, të gjitha në të njëjtën zonë të kryeqytetit.
SPAK ka vendosur “sekuestro preventive” edhe për 32 automjete luksoze, ndër to një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan, në pronësi ose përdorim të personave të ndryshëm të lidhur me A.K.
Po ashtu janë bllokuar 52 llogari bankare në emër të disa individëve dhe kompanive, përfshirë “SALOU Rental sh.p.k.”, “Monopol Exchange”, “Elite Event” dhe “Monopol sh.p.k.”.
Për zbatimin e vendimit të gjykatës janë angazhuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.



