Dogana e Kosovës sekuestron municion të kontrabanduar në Prishtinë

Njësitet e Doganës së Kosovës kanë sekuestruar një sasi municioni të kontrabanduar gjatë një kontrolli të befasishëm në një subjekt afarist në regjionin e Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit janë gjetur municione të ndryshme, përfshirë ato për armë të gjata dhe armë gjahu, të cilat ruheshin në kundërshtim me ligjin në fuqi. Lënda e sekuestruar është dokumentuar dhe Prokuroria kompetente është njoftuar menjëherë.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me agjencitë e zbatimit të ligjit për të identifikuar burimin dhe destinacionin e municionit të kontrabanduar.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe çdo veprimtarie të paligjshme, me qëllim të mbrojtjes së sigurisë publike dhe interesave të Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftim.



