KQZ njofton për Qendrat e Votimit me Kusht për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, do të mundësohet votimi me kusht në çdo komunë të Kosovës.
Sipas njoftimit, më 12 tetor do të hapen gjithsej 38 Qendra Votimi për votim me kusht, me 54 vendvotime në të gjithë vendin.
Votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi dhe mund të realizohet në qendrën e veçantë të përcaktuar nga KQZ. Ky proces u mundëson qytetarëve të cilët janë në listën votuese, por për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre të rregullt, të ushtrojnë të drejtën e votës.
KQZ ka sqaruar gjithashtu se numërimi i votave me kusht do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore.




