Ambasada e Gjermanisë: Të gjitha partitë dhe deputetët duhet t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka bërë thirrje që të gjitha partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si një detyrim kushtetues dhe shtyllë themelore të demokracisë.
Përmes një postimi në Facebook, ambasada gjermane ka njoftuar për takimin e të ngarkuarit me Punë, Christian Böttcher, me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi.
Në njoftim thuhet se Böttcher ka vlerësuar punën e rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese dhe ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Gjermanisë për këtë institucion.
“Gjykata Kushtetuese është një shtyllë thelbësore e demokracisë. Të gjithë aktorët politikë duhet të zbatojnë vendimet e Gjykatës — kjo është një detyrë kushtetuese për deputetët. Mospërmbushja e kësaj detyre jo vetëm që e zgjat krizën politike, por e thellon atë, duke i shkaktuar dëm vendit. Siç është thënë më parë: Është koha të vihet vendi mbi interesat partiake,” thuhet në postimin e ambasadës.
Ambasada ka theksuar se respektimi i vendimeve të Kushtetueses është thelbësor për funksionimin demokratik të shtetit dhe për stabilitetin institucional të Kosovës.



