Ish-polici Fatlum Mehmeti dënohet me 8 vjet burgim për vrasjen e kolegut në Zllatar

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-policit Fatlum Mehmeti, i cili u shpall fajtor për veprën penale “Vrasje me dashje eventuale”, lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, L.H., në fshatin Zllatar, në shkurt të vitit 2022.
Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla, me anëtarët Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi, e dënoi Mehmetin me 8 vjet burgim. Gjykata i shqiptoi edhe një dënim plotësues, që ndalon ushtrimin e funksioneve në administratë apo shërbim publik për një periudhë 5-vjeçare.
Në vendim është përcaktuar që në dënimin me burgim t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, pas hyrjes në fuqi të vendimit. Gjykata, me aktvendim të veçantë, ka vendosur t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.
I akuzuari është obliguar të paguajë 200 euro paushall gjyqësor dhe 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit. Ndërkohë, pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta ndjekë në procedurë civile.
Në shpallje ishin të pranishëm prokurori Arben Hoti, i akuzuari Fatlum Mehmeti me avokatin e tij Labinot Buzuku, si dhe përfaqësues të palës së dëmtuar.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, ngjarja kishte ndodhur më 18 shkurt 2022, gjatë një ndeje të organizuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Zllatar. Në këtë ndejë, Mehmeti, duke manipuluar me armën e tij zyrtare të tipit “Gllok” 9mm, kishte shkaktuar një të shtënë që goditi në mënyrë fatale kolegun L.H. në regjionin e dorës së djathtë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Fillimisht, më 14 prill 2023, Mehmeti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij.
Ngjarja kishte tronditur opinionin publik dhe komunitetin policor, pasi vrasja kishte ndodhur në rrethana shoqërore midis pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
/Betimi për Drejtësi/



