Osmani: Qëndrimin për aktgjykimin do ta jap pasi të publikohet i plotë, shpresoj që institucionet të formohen shpejt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi mori çmimin “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”, është pyetur nga gazetarët për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe procesin e formimit të institucioneve.
Ajo ka thënë se qëndrimin e saj do ta bëjë publik vetëm pasi të publikohet i plotë aktgjykimi i Kushtetueses.
“Është ende veç njoftim, momentin që publikohet aktgjykimi i plotë, ju thërrasim prapë. Ne shihemi gati çdo ditë edhe flasim”, deklaroi Osmani.
Kreu i shtetit shtoi se është në komunikim të vazhdueshëm me partitë politike dhe shpreson që procesi i formimit të institucioneve të përmbyllet sa më shpejt.
“Jemi në komunikim me parti vazhdimisht, do të jemi edhe në të ardhmen dhe po shpresoj që sa më shpejt do të përmbyllet komplet cikli i institucioneve funksionale”, tha ajo.



