
Tiranë – Dërgesa e parë me materialet zgjedhore për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është nisur këtë të hënë. Prej disa ditësh, përgatitja e zarfeve është zhvilluar në ambientet e Parkut Olimpik në Tiranë, ku janë vulosur fletët e votimit dhe janë paketuar sipas procedurave të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Çdo votues në diasporë do të marrë një zarf të anonimizuar me fletën e votimit, i cili më pas është vendosur në një zarf të dytë që përmban të dhënat e koduara të votuesit. Pakoja përfundimtare përfshin gjithashtu një udhëzues për mënyrën e votimit, një listë me kontaktet e korrierëve ndërkombëtarë dhe një zarf kthimi për dërgimin e votës drejt KQZ-së.
Qarqet me më pak votues, si Kukësi, Dibra dhe Vlora, kanë përfunduar tashmë përgatitjen e materialeve dhe dërgesat janë nisur përmes postës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka bërë të ditur se qytetarët shqiptarë që ndodhen në vendet europiane mund të presin që zarfi t’u mbërrijë brenda 48 orëve. Ai u ka bërë thirrje emigrantëve që të votojnë brenda tre ditëve nga marrja e materialeve dhe të kontaktojnë në numrat e ofruar pas përfundimit të procesit të votimit.
Zarfet me votat e diasporës pritet të fillojnë të rikthehen në KQZ nga mesi i javës së ardhshme, ndërsa numërimi i tyre do të zhvillohet më 11 maj, në të njëjtën ditë me votimin brenda territorit të Shqipërisë.