Sot përfundon afati për akreditimin e vëzhguesve të mediave për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot, më 7 tetor, është dita e fundit për aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve të mediave vendore dhe ndërkombëtare që do të monitorojnë Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.
Sipas njoftimit, aplikimi për akreditim bëhet përmes platformës elektronike https://apliko.kqz-ks.org
, ku janë të listuara të gjitha udhëzimet dhe është ngarkuar edhe një video që shpjegon të gjithë hapat e procesit.
Procedura e aplikimit:
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i organizatës apo medias duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në platformën online.
Hapi i dytë: Pas dorëzimit të kërkesës, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) shqyrton kërkesën dhe vendos për miratimin ose refuzimin e saj. Në rast miratimi, përfaqësuesi i medias do të pranojë përmes e-mailit kredencialet për qasje në platformë, të cilat mundësojnë plotësimin e të dhënave për personat që do të akreditohen.
Për më shumë informacione, KQZ ka bërë të ditur se mund të kontaktohet përmes e-mailit në adresën [email protected]
ose në numrin e telefonit +383 38 200 81 010, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Vetëm vëzhguesit e akredituar nga KQZ do të kenë të drejtë të monitorojnë procesin zgjedhor dhe aktivitetet që zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).



