Ushqimet “gllabërojnë” 40% të buxhetit të familjeve shqiptare – më e larta në Europë

Familjet shqiptare vazhdojnë të shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqim. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024, ushqimet dhe pijet jo-alkoolike zënë 39,6% të shpenzimeve mujore, duke ruajtur të njëjtën peshë si një vit më parë. Kjo është pjesa më e lartë në Europë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 13%, dhe ajo e rajonit nën 35%.
Në total, familjet shqiptare kanë shpenzuar mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për konsum, një rritje modeste prej vetëm 1,5% krahasuar me vitin 2023. Struktura e buxhetit, megjithatë, ka mbetur pothuajse e pandryshuar.
Grupet me rritjen më të madhe të shpenzimeve janë:
Mobilim dhe mirëmbajtje e banesës (+5,7%)
Transporti (+5,2%)
Veshje dhe këpucë (+4,4%)
Por pesha e tyre në buxhet është rritur vetëm lehtë: mobilimi përbën tani 6,8%, transporti 7,1%, ndërsa veshjet 5,1% të totalit të shpenzimeve. Në anën tjetër, shpenzimet për shëndet ranë nga 4,3% në 3,8%, dhe ato për arsim nga 3,5% në 3,3%.
Për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira, familjet shpenzojnë 8.944 lekë në muaj, që përbën 9,6% të buxhetit, me ndryshim minimal nga viti i kaluar. Ndërkohë, shpenzimet për restorante dhe hotele u rritën me 4,1%, duke arritur 7,6% të totalit, si pasojë e rritjes së konsumit jashtë shtëpisë.
Tirana, konsumatorja më e madhe
Të dhënat e Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare 2024 tregojnë se Tirana ka nivelin më të lartë të konsumit në vend, me 108.588 lekë shpenzime mujore për familje — 17% më shumë se mesatarja kombëtare. Kjo lidhet me çmimet më të larta të ushqimeve, banesave dhe shërbimeve, por edhe me të ardhurat më të larta të punësimit urban.
Pas kryeqytetit, më të lartat janë Korça (91.418 lekë) dhe Durrësi (90.218 lekë). Në rastin e Korçës ndikojnë të ardhurat e qëndrueshme dhe turizmi dimëror, ndërsa Durrësi përfiton nga afërsia me Tiranën dhe punësimi në sektorin tregtar e portual.
Në nivel mesatar renditen Fieri (87.171 lekë) dhe Shkodra (85.891 lekë), ndërsa më poshtë qëndrojnë Elbasani (80.929 lekë), Berati (84.475 lekë), Lezha (84.542 lekë) dhe Gjirokastra (84.420 lekë).
Në fund të renditjes janë Kukësi (75.048 lekë) dhe Dibra (75.883 lekë), me afro 30% më pak konsum se Tirana. Familjet në këto zona mbështeten ende te bujqësia për vetëkonsum dhe kanë akses më të kufizuar në treg pune, arsim dhe shëndetësi.
Pavarësisht rritjes së lehtë të konsumit, ushqimi vijon të jetë barra kryesore e buxhetit të familjeve shqiptare, duke treguar nivelin ende të ulët të fuqisë blerëse në vend.



