Von der Leyen përballë mocioneve të mosbesimit: “Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar përballë përçarjeve”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për unitet në mesin e eurodeputetëve, teksa përballet me dy mocione mosbesimi në Parlamentin Evropian. Mocionet janë propozuar nga e Majta Radikale dhe e Djathta Ekstreme e grupit “Patriotët e Evropës”.
Në fjalimin e saj para seancës plenare në Strasburg, Von der Leyen paralajmëroi se kundërshtarët e Bashkimit Evropian janë “të gatshëm të përfitojnë nga ndarjet dhe t’i ndezin ato”.
“Mesazhi më i fuqishëm që mund të dërgojmë është ai i unitetit. Qoftë në gatishmërinë mbrojtëse, ndërtimin e mburojës së demokracisë sonë, forcimin e konkurrueshmërisë apo krijimin e vendeve cilësore të punës – këtu duhet të fokusohemi”, deklaroi ajo, e shoqëruar nga të gjithë Komisionerët në skenë.
Von der Leyen u kërkoi eurodeputetëve të mos bien në “kurthin” e presidentit rus Vladimir Putin, të cilin e akuzoi për përpjekje për të përçarë dhe dobësuar Evropën përmes dezinformimit.
“Kjo është një kurth dhe thjesht nuk mund të biejmë në të”, theksoi ajo.
Presidentja e Komisionit pranoi se shqetësimet e disa eurodeputetëve për situatën në Gaza, luftën në Ukrainë apo marrëdhëniet tregtare me SHBA-në janë “legjitime dhe të sinqerta”, duke shtuar se “kjo është një përgjegjësi e përbashkët në këtë moment të rrezikshëm të historisë sonë”.
Ajo shprehu bindjen se Parlamenti Evropian do të tregojë përgjegjësi për t’u ofruar qytetarëve evropianë zgjidhje të përbashkëta.
“Mund të mbështeteni tek unë dhe Komisioni për të ndarë këtë përgjegjësi me ju. Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të ofrojë rezultate së bashku”, përfundoi Von der Leyen.
Votimi për dy mocionet e mosbesimit do të zhvillohet të enjten, më 9 tetor, megjithatë pritet që të dyja të dështojnë, pasi partitë pro-evropiane – Partia Popullore Evropiane (PPE), Socialistët dhe Demokratët, Liberalët dhe Gjelbërit – pritet të bashkohen rreth Von der Leyen.



