Osmani: Procesi i anëtarësimit në BE nuk është i bazuar në merita – Kosovës po i bëhet padrejtësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian “nuk është i bazuar në merita”.
Pas samitit të procesit të Bërdo-Brionit që u mbajt sot në Durrës, Osmani tha për televizionin publik shqiptar se BE-ja ende nuk i ka hequr sanksionet ndaj Kosovës “përkundër të gjitha reformave” që janë ndërmarrë.
“Sot askush nga shtetet anëtare nuk është i gatshëm të japë një arsye se pse sanksionet janë ende në fuqi”, tha ajo.
Presidentja theksoi se Kosova është i vetmi vend nga rajoni që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse aplikacioni është dorëzuar që në vitin 2022.
“Deri tani, për shkak të disa shteteve anëtare, as nuk është mandatuar Komisioni Evropian për t’u marrë me çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën”, shtoi Osmani, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi të hapur ndaj vendit.
Sipas saj, nëse procesi i anëtarësimit do të ishte i bazuar në merita, Kosova “do të ishte shumë afër anëtarësimit”.
“Kjo na çon në përfundimin se procesi nuk është i bazuar në merita, por në zhvillime politike dhe konsiderata vetanake që shtetet anëtare i marrin parasysh për të përkrahur apo penguar një vend. Sikur të ishte ndryshe, Kosova – si reformatorja numër një në rajon, dhe sipas Gallup International, numër një në Evropë për sundimin e ligjit e numër tre në botë – do të kishte ecur shumë përpara”, theksoi ajo.
Osmani po ashtu bëri të ditur se në samit ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë dhe Kroacisë, si dy vende anëtare të BE-së që kanë qenë tradicionalisht mbështetëse të Kosovës.
“U kërkova që të jenë edhe më aktivë dhe të jenë zëri ynë në institucionet e BE-së, në mënyrë që të hapet rruga edhe për Kosovën”, tha Osmani.
Ndërsa për progresin e Shqipërisë drejt BE-së, presidentja kosovare u shpreh “shumë e lumtur”, duke e konsideruar atë një arritje të rëndësishme për gjithë rajonin.



