Kancelari gjerman propozon tërheqjen e Gjermanisë nga Eurovisioni nëse Izraeli përjashtohet

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se do të mbështeste që Gjermania të tërhiqej nga gara e Eurovisionit vitin e ardhshëm në Vjenë, nëse Izraeli nuk lejohet të marrë pjesë.
Në një intervistë për transmetuesin publik ARD të dielën, Merz tha se “do ta mbështesja këtë. Mendoj se është skandal që kjo madje po diskutohet. Izraeli e ka vendin atje”.
Eurovisioni është një spektakël muzikor që përfshin vende nga Evropa dhe më gjerë, ku secili shtet prezanton një këngë që vlerësohet nga juria kombëtare dhe votimi publik.
Në javët e fundit, disa transmetues europianë, përfshirë ata nga Spanja, Irlanda dhe Holanda, kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga gara nëse Izraelit nuk i ndalohet pjesëmarrja, për shkak të situatës së tensionuar në Rripin e Gazës.
Unionit Evropian i Transmetimeve (EBU), përgjegjës për organizimin e Eurovisionit, njoftoi se në nëntor do të zhvillojë një takim online me të gjithë transmetuesit anëtarë për të vendosur mbi pjesëmarrjen në garën e vitit 2026, që është planifikuar të mbahet në Vjenë në maj të po atij viti.
Protesta publike kundër pjesëmarrjes së Izraelit kanë shënuar dy edicionet e fundit të Eurovisionit, duke shtuar tensionin për edicionin e ardhshëm.



