Kosova
Kryesore

Raporti i Gallupit e rendit Kosovën ndër vendet më të sigurta në Evropë, por gratë thonë: “Nuk ndihemi të sigurta natën”

Dy orë pas mesnatës, Arlinda dhe koleget e saj përfundojnë orarin e punës në një qendër thirrjeje në Prishtinë që ofron shërbime për konsumatorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për sigurinë e tyre, ato janë këshilluar nga Policia e Kosovës të dalin në grupe ose të shoqërohen nga kolegët meshkuj.

“Një natë, një kolegen time e pati ndjekur një burrë nga zyra deri te vendi ku rrinë taksistët”, tregon Arlinda për Radion Evropa e Lirë, duke kërkuar të mbetet anonime për të mos shqetësuar familjen.

Ky është realiteti me të cilin përballen shumë gra në Kosovë, ndonëse një raport i fundit i Gallup e rendit vendin si të tretin më të sigurt në Evropë. Sipas këtij raporti, 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt, po aq sa në Danimarkë dhe vetëm dy për qind më pak se në Norvegji.

Megjithatë, të dhënat e ndara sipas gjinisë tregojnë një dallim të dukshëm mes burrave dhe grave në ndjenjën e sigurisë. Shtatë vajza nga Kosova që aktualisht jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri e Belgjikë, thanë për REL se ndihen shumë më të sigurta në këto vende sesa në Kosovë.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 102 raste të ngacmimeve seksuale dhe 74 raste të sulmeve seksuale – shifrat më të larta të raportuara ndonjëherë. Vetëm deri më 29 shtator të këtij viti janë evidentuar 55 raste të ngacmimit seksual, 54 raste dhunimi dhe 38 raste sulmi seksual. Shumica e viktimave janë gra.

Aktivistja feministe Besarta Breznica thotë se këto shifra nuk e tregojnë të gjithë realitetin.
“Ka shumë raste që nuk raportohen fare. Viktimat përballen me procedura të gjata burokratike dhe dënime të ulëta për kryesit, prandaj shumë gra hezitojnë të flasin,” shpjegon ajo.

Breznica përmend edhe probleme të tjera që e bëjnë jetën e grave më të pasigurt: mungesa e ndriçimit publik në shumë lagje dhe fshatra, si dhe tregu i zi i armëve.
“Përderisa kemi një treg të tillë, nuk besoj që Kosova mund të jetë vendi i tretë më i sigurt në Evropë,” thotë ajo.

Sipas të dhënave të organizatave të të drejtave të njeriut, nga viti 2010 deri në mars 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra, kryesisht nga bashkëshortët e tyre.

Ndërkohë, autoritetet thonë se po punojnë për të përforcuar mekanizmat ligjorë dhe për të parandaluar dhunën ndaj grave. Por për shumë vajza si Arlinda, rruga për në shtëpi pas mesnate mbetet ende një udhëtim i pasigurt.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button