Dronët paralizojnë Aeroportin e Mynihut për të dytën ditë radhazi, mijëra pasagjerë të bllokuar

Aeroporti i Mynihut është detyruar të ndalojë operacionet për të dytën ditë me radhë, pas paraqitjes së dronëve të paidentifikuar në hapësirën ajrore të tij. Më shumë se 6,500 pasagjerë dhe dhjetëra fluturime janë prekur nga pezullimi i trafikut ajror.
Sipas një njoftimi zyrtar, nga ora 21:30 të së premtes, aeroporti kufizoi dhe më pas anuloi të gjitha fluturimet për shkak të pranisë së dronëve. Si pasojë, 23 fluturime hyrëse u devijuan, 12 me destinacion Mynihun u anuluan, ndërsa 46 nisje u shtynë ose u anuluan deri në mëngjesin e së shtunës.
Një zëdhënës i policisë gjermane konfirmoi për AFP se dy dronë u panë njëkohësisht nga patrullat e policisë rreth pistave veriore dhe jugore pak para orës 23:00. “Dronët u larguan menjëherë përpara se të identifikoheshin,” tha ai.
Autoritetet aeroportuale njoftuan se, në bashkëpunim me linjat ajrore, u kujdesën për pasagjerët e bllokuar, duke vendosur shtretër kampingu, batanije, pije dhe ushqime të lehta në terminale.
Aeroporti kishte planifikuar rifillimin e operacioneve në orën 5 të mëngjesit, por më pas e shtyu hapjen deri në orën 7:00.
Ky është incidenti i dytë brenda 24 orëve, pasi të enjten në mbrëmje u raportua prania e dronëve pranë qyteteve Freising dhe Erding, ku ndodhet edhe një aeroport ushtarak gjerman. Policia vendosi helikopterë për kërkime, por deri më tani nuk ka informacion mbi llojin dhe numrin e dronëve të përfshirë.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, e quajti situatën “një thirrje zgjimi” për rrezikun që paraqesin dronët. Ai paralajmëroi se “gara midis kërcënimit nga dronët dhe mbrojtjes kundër tyre po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, duke kërkuar më shumë financim dhe kërkime në nivel kombëtar dhe europian.
Ngjarja ndodhi teksa Gjermania po festonte Ditën e Unitetit Kombëtar dhe ndërsa Mynihu përgatitej për fundjavën e fundit të Oktoberfest-it, që tërheq qindra mijëra vizitorë çdo ditë.



