Avokati Musa optimist për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së pas dëshmive të fundit në Hagë

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Skënder Musa, është shprehur optimist lidhur me mundësinë e lirimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas dëshmive të fundit të dhëna nga ish-zyrtarë ndërkombëtarë.
Në një deklaratë për Front Online, Musa tha se vendimtare në këtë proces mbetet kredibiliteti dhe besueshmëria e dëshmitarëve.
“Pas këtyre dëshmive të këtyre personaliteteve, besoj që do të lirohen, duke u bazuar në faktin se dëshmitarët përveç që tregojnë ngjarjet që kanë parë, varet edhe prej kredibilitetit dhe besueshmërisë së tyre. Ata janë njerëz kredibil, shumë të besueshëm edhe për Gjykatën, edhe për publikun vendor, por edhe për publikun ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Musa vlerësoi se dëshmitarët kanë dhënë një pasqyrë të qartë për funksionimin e UÇK-së, duke theksuar se ajo vepronte si një organizatë guerile, e pa strukturuar dhe pa një qendër të unifikuar komanduese.
“Kanë sqaruar në mënyrë të jashtëzakonshme çështjen e funksionimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një organizatë guerile e pa organizuar, e pa strukturuar, pa pasur një qendër komanduese. Pothuajse të gjitha zonat dhe njësitë në kuadër të zonave kanë vepruar si njësi autonome”, shtoi Musa.



