Kosova rrezikon vitin 2026 pa buxhet të miratuar, ekspertët flasin për krizën më të rëndë financiare pasluftës

Bllokada politike në Kuvendin e Kosovës po rrezikon të thellojë krizën institucionale edhe në aspektin ekonomik. Përveç mungesës së një qeverie legjitime dhe kuvendi të konstituuar, Kosova mund të hyjë në vitin 2026 pa buxhet të miratuar.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka konfirmuar për RTV21 se është duke zhvilluar dëgjimet buxhetore me organizatat buxhetore dhe pret që projektligji për buxhetin e vitit 2026 të aprovohet brenda afateve ligjore. Afati i fundit që qeveria ta aprovojë buxhetin është më 31 tetor, para se ai të dërgohet në Kuvend për votim.
Megjithatë, në situatën aktuale, kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ekspertët thonë se është e vështirë të pritet miratimi i buxhetit. Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, paralajmëron pasoja të rënda.
“Nëse nuk aprovohet ligji për buxhetin pas 1 janarit, shteti i Kosovës nuk do të ketë mundësi të shfrytëzojë asnjë cent nga buxheti i saj”, tha Shatri.
Edhe hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj, ngriti dilema mbi legjitimitetin e një qeverie në detyrë për të miratuar një buxhet vjetor. “Po rrezikojmë të mos kemi buxhet për vitin tjetër fiskal. Ky ligj duhet të votohet nga një qeveri legjitime dhe legale para 31 tetorit dhe të dërgohet në Kuvend për miratim deri në dhjetor”, tha ai.
Mosmiratimi i buxhetit, sipas njohësve të ekonomisë, do ta fuste Kosovën në krizën më të thellë financiare që nga paslufta. Në atë rast, vendi do të mund të funksiononte vetëm me një buxhet të kufizuar – kryesisht për paga të punonjësve publikë – por edhe kjo vetëm deri në muajin mars, sipas ish-ministrit Shatri.
“Pas kësaj periudhe, shteti do të hynte në kolaps total financiar”, theksoi ai.
Ndërkohë, për shkak të bllokadës në Kuvend, Kosova ka humbur edhe mundësi të mëdha zhvillimore gjatë vitit 2025. Qindra miliona euro nga plani i rritjes i Bashkimit Evropian, të destinuara për Kosovën, nuk janë vënë në zbatim, ndërsa shtetet e tjera të rajonit tashmë kanë përfituar mjetet e para.



