Parashikimi i motit: Reshje të dendura shiu e dëbore, rënie temperaturash dhe erëra të fuqishme

Ditën e enjtë vendi do të përballet me reshje të shumta e të vazhdueshme shiu, ndërsa në zonat malore pritet të ketë reshje të dendura bore, të cilat do të formojnë një shtresë të konsiderueshme dëbore.
Në ultësira ekziston mundësia e përmbytjeve të shpejta, si pasojë e reshjeve intensive. Sipas njoftimit të “Mendimi për Motin”, do të fryjnë erëra mesatare dhe të fuqishme nga veriu dhe verilindja me shpejtësi 7–15 m/s, ndërsa në zonat malore pritet që era të arrijë mbi 20 m/s (70 km/h), me hove deri në 100 km/h. Temperaturat maksimale ditën e enjtë do të jenë ndërmjet 6°C dhe 8°C, por do të shënojnë rënie gjatë ditës.
Në orët e hershme të mëngjesit të së premtes reshjet e borës do të shtrihen edhe në disa zona të ulëta të vendit. Gjatë ditës reshjet do të vazhdojnë, ku në ultësira do të jenë kryesisht shi i dendur, ndërsa në zonat malore borë, duke rritur shtresën e dëborës. Erërat veriore do të fryjnë me intensitet mesatar e të fuqishëm 5–15 m/s. Temperaturat minimale të premten pritet të zbresin deri në 3°C e 0°C. Nga mbrëmja reshjet do të pushojnë gradualisht.
E shtuna do të karakterizohet nga vranësira dominante, ndërsa reshjet do të pushojnë që në orët e para të mëngjesit. Të dielën priten intervale më të gjata me diell dhe rritje të temperaturave deri në 14°C – 15°C. Të hënën sërish parashikohen më shumë vranësira, ndërsa temperaturat zbresin lehtësisht në rreth 12°C.



