Takimi Milei–Osmani ngjall kritika në Argjentinë dhe Amerikën Latine

Takimi i presidentit të Argjentinës, Javier Milei, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, javën e kaluar në New York, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka nxitur reagime të ashpra në shtete të Amerikës Latine që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Mediumi “Agenda Malvinas”, i cili trajton kryesisht çështjen e sovranitetit të Argjentinës mbi Ishujt Falkland (të njohur nga argjentinasit si Malvinas), e cilësoi takimin si “hapje të një fronti të ri diplomatik që dobëson kauzën Malvinas”.
Sipas shkrimit, është hera e parë që një takim në nivel kaq të lartë ndodh mes përfaqësuesve të të dy vendeve. Analistët dhe opozita në Argjentinë e kanë quajtur ngjarjen “turpërim diplomatik” që cenon pozicionin historik të Buenos Airesit në raport me Britaninë e Madhe.
“Për diplomacinë argjentinase, njohja e Kosovës do të ishte precedent i rrezikshëm që shkel parimin e integritetit territorial – të njëjtin parim që Argjentina përdor për të mbrojtur sovranitetin mbi Malvinas. Respektimi i integritetit territorial të Serbisë e forcon pozicionin tonë mbi ishujt”, shkruan “Agenda Malvinas”, duke kujtuar se Buenos Aires nuk njeh as Krimenë si ruse dhe as Tajvanin si shtet të pavarur.
Fotografia e takimit është interpretuar si mbështetje “de facto” e parimit të vetëvendosjes mbi integritetin territorial, gjë që sipas kritikëve dobëson argumentin qendror të Argjentinës ndaj Mbretërisë së Bashkuar.
Ish-sekretari i Ministrisë së Jashtme për çështjen e Malvinas, Guillermo Carmona, e ka cilësuar duarshtrëngimin mes Mileit dhe Osmanit si “jashtëzakonisht serioz”.
“Është skandaloze që presidenti ia ka lejuar vetes një takim me dikë që pretendon se është president i një entiteti që Argjentina nuk e njeh si shtet, duke rënë në kundërshtim me qëndrimin tonë për Malvinas”, ka shkruar ai në X.
Artikulli kujton gjithashtu se disa vite më parë, trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës ishin dërguar në Falkland në kuadër të një marrëveshjeje me Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë, burime diplomatike në Buenos Aires kanë thënë për mediat vendase se incidenti nuk paraqet shkelje të protokollit të përfaqësimit argjentinas në OKB. Disa zëra të tjerë kanë sugjeruar se takimi ishte i motivuar politikisht, për të “kënaqur Donald Trumpin”.



