Kosova

IKD: Numri i kandidatëve me probleme me ligjin në zgjedhjet lokale 2025 ka progres dhe regres

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin e tij me titull “Integriteti i kandidatëve për Kryetarë të Komunave në Zgjedhjet Lokale 2025”, ku evidenton ndryshime në numrin dhe profilin e kandidatëve krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2021.

Sipas raportit, ka progres në disa fusha, duke përfshirë numrin e përgjithshëm të kandidatëve me probleme ligjore, numrin e kandidatëve me aktakuza aktive, si dhe numrin e partive politike që përfshijnë kandidatë të tillë. Në zgjedhjet e vitit 2021, katër parti politike kishin në listat e tyre kandidatë me probleme me ligjin, ndërsa në vitin 2025 ky numër ka rënë në dy. Mirëpo, raporti evidenton edhe tri nisma qytetare dhe një kandidat të pavarur që kanë kandidatë me probleme ligjore.

Megjithatë, IKD thekson se ka regres në disa aspekte, sidomos sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë. Nga 206 kandidatë për kryetarë të komunave, tetë kanë probleme me ligjin, katër prej tyre me aktakuza aktive, ndërsa pesë kandidatë kanë dënime të formës së prerë, krahasuar me vetëm dy në vitin 2021.

Numri i komunave që garojnë me kandidatë të tillë ka rënë nga nëntë në shtatë, ndërsa numri i subjekteve politike që përfshijnë kandidatët me probleme ligjore është rritur nga katër në gjashtë.

Raporti i IKD-së përzgjedh kështu një tablo të përzier për integritetin e kandidatëve në zgjedhjet lokale të këtij viti, duke treguar se, edhe pse ka përmirësime në disa fusha, sfidat për sigurinë ligjore dhe etikën në politikë mbeten të pranishme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button