
Sot ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK).
Sipas autoriteteve shëndetësore, vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur veten dhe të afërmit nga gripi dhe komplikimet e tij. Gripi sezonal është një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që përhapet lehtë dhe mund të shkaktojë pasoja serioze, sidomos te fëmijët me imunitet të dobësuar, të moshuarit, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike.
Simptomat më të shpeshta të gripit janë ethet, kollitja, lodhja, dhimbjet e muskujve dhe të kokës.
IKSHPK thekson se punonjësit shëndetësorë rekomandohet fuqimisht të vaksinohen për të siguruar mbrojtje për veten dhe pacientët, ndërsa njëjtë rekomandohet edhe për gratë shtatzëna, për të mbrojtur si nënën ashtu edhe foshnjën.
Vaksinimi u rekomandohet gjithashtu pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, banorëve dhe stafit të shtëpive të të moshuarve, mësimdhënësve, edukatorëve dhe kujdestarëve të pacientëve me imunitet të dobësuar.
Procesi i vaksinimit kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse, të cilat tashmë janë furnizuar me vaksina nga IKShPK.
“Ju ftojmë të paraqiteni në qendrën tuaj të mjekësisë familjare për të marrë vaksinën falas”, thuhet në njoftimin e institutit.



