KQZ mban sot mbledhjen e radhës, në fokus akreditimi i vëzhguesve ndërkombëtarë dhe emërimi i ekipeve të numërimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot mbledhjen e radhës, e cila pritet të nisë në orën 13:30. Në këtë takim do të shqyrtohen disa pika të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 12 tetor.
Ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe përfaqësive diplomatike që do të monitorojnë procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, KQZ do të diskutojë dhe miratojë procedurat e veprimit në Qendrat Komunale të Numërimit, si dhe emërimin e ekipeve të numërimit për zgjedhjet lokale 2025.
Mbledhja do të udhëhiqet nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërsa në rend të ditës përfshihet edhe shqyrtimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar dhe raportimi mbi aktivitetet e Zyrës së KQZ-së.



