Bota

Sekuestrohen mbi 5 miliardë paund në Bitcoin, shtetase kineze dënohet në Britani për mashtrim ndërkombëtar

Një shtetase kineze është dënuar nga drejtësia britanike pas një hetimi ndërkombëtar shtatëvjeçar mbi pastrimin e parave, që çoi në sekuestrimin më të madh të kriptomonedhave në botë.

Policia Metropolitane e Londrës njoftoi se ka sekuestruar 61,000 Bitcoin, me vlerë mbi 5 miliardë paund, të cilat ishin të ardhurat e një mashtrimi që preku mijëra investitorë. Zhimin Qian, e njohur edhe si Yandi Zhang, u deklarua fajtore për blerje dhe posedim të paligjshëm të kriptomonedhave.

Hetimet zbuluan se Qian kishte udhëhequr një mashtrim masiv në Kinë midis viteve 2014 dhe 2017, duke mashtruar mbi 128,000 investitorë. Paratë e fituara u konvertuan në Bitcoin dhe u ruajtën për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Hetimi ndërkombëtar zgjati shtatë vjet dhe u aktivizua pas marrjes së informacionit mbi transferimin e fondeve të paligjshme. Qian arriti të fshihej për pesë vjet, deri sa u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar, ku përdori dokumente të falsifikuara për të legalizuar pasurinë, duke blerë prona luksoze.

Avokati i saj, Roger Sahota, deklaroi se klientja e tij shpreson që të lehtësojë humbjet e investitorëve dhe që vlera në rritje e kriptovalutave të mundësojë kompensimin e tyre. Megjithatë, qeveria britanike mund të mbajë fondet e sekuestruara, pasi ndryshimet ligjore e lejojnë më lehtë rikuperimin e kriptomonedhave.

Qian u ndihmua nga Jian Wen, punonjëse e një restoranti, e cila vitin e kaluar u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg për pjesëmarrje në mashtrim. Wen pastroi pjesë të konsiderueshme të parave, duke blerë prona në Londër dhe Dubai, ndërsa Policia Metropolitane sekuestronte mbi 300 milionë paund në Bitcoin të lidhura me të.

Raportimet kineze tregojnë se shumica e investitorëve ishin të moshës 50–75 vjeç, përfshirë biznesmenë, bankierë dhe gjyqtarë, të tërhequr nga premtimet e Qian, e cila u paraqit si “Perëndesha e pasurisë”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button