Mot i paqëndrueshëm me ulje temperaturash dhe reshje bore në fillim të tetorit

Dita e fundit e shtatorit do të karakterizohet me kalime vranësirash, por pa kushte për reshje. Parashikohen intervale të gjata me diell, ndërsa temperaturat maksimale shënojnë një rritje të lehtë deri në 16–19°C, e minimalet e mëngjesit luhaten ndërmjet 8–12°C. Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga veriu e verilindja me shpejtësi 3–5m/s.
Të mërkurën vranësirat shtohen dhe më vonë reshjet e shiut do të përfshijnë vendin. Temperaturat do të zbresin në 14–15°C. Në orët e natës, sidomos në viset malore, me rënie të mëtutjeshme të temperaturës, parashihen reshje bore që gjatë ditës së enjtë pritet të krijojnë edhe shtresë.
Në zonat e ulëta reshjet do të jenë kryesisht në formë shiu, ndërsa të premten temperaturat pritet të bien deri në 2–4°C, duke rritur mundësitë për reshje bore edhe në pjesë të ulëta, përreth Rrafshit të Kosovës. Prishtina, në disa zona të larta, mund të përballet gjithashtu me shtresë bore.
Nga fundjava reshjet do të pushojnë, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje të lehtë, duke arritur deri në 10°C të shtunën. Depërtimi i masave të ftohta ajrore do të shoqërohet edhe me erëra veriore të forta, që pritet të fryjnë me hove deri në 12m/s.



