
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Nënkolonel Basri Shabani, po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një programi të sponsorizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe të administruar nga Këshillat Amerikanë për Arsimin Ndërkombëtar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Washington dhe Detroit, Shabani është pritur nga përfaqësues të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, departamenteve lokale të Policisë dhe Sigurisë Publike, Zyrës së Sherifit dhe Bordit të Komisionerëve të Policisë në Detroit, si dhe nga përfaqësues të komunitetit dhe avokatë të bashkëpunimit Polici-Komunitet.
Ai ka marrë pjesë në programe që lidhen me mbështetjen policore-komunitare, drejtësinë penale dhe rolin e oficerëve të lagjes, duke shkëmbyer përvoja me institucionet amerikane.
Sipas njoftimit, vizita do të vazhdojë edhe në Illinois, Missouri dhe Florida, deri më 11 tetor 2025, sipas agjendës së paraparë të programit.



